Filozofia e Institutit ATOMI
Bota bashkëkohore po ndryshon, po avancohet e po transformohet shumë shpejt dhe vazhdimisht. Në një botë të tillë, gjithë zhvillimi e mirëqenia e shoqërisë njerëzore tashmë varet nga inteligjenca, dhuntia, talenti, ideja, origjinaliteti, kreativiteti, inovacioni, dija, shkenca dhe teknologjia. Andaj, mundësia dhe burimi më i mirë e më racional për zhvillimin dhe mirëqenien e çdo vendi dhe shoqërie është kapitali njerëzor, ajka e të cilit janë fëmijët dhe të rinjtë me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente (atomistët), të cilët janë pasuria më e paçmueshme e çdo vendi.
Këta fëmijë dhe të rinj me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente (atomistë) kanë nevojë të identifikohen dhe të përkrahen vazhdimisht, në përputhje me potencialin e tyre intelektual, interesimet e tyre profesionale dhe cilësitë e tyre personale, në mënyrë që ta njohin dhe ta realizojnë maksimalisht veten dhe potencialin e tyre. Vetëm të tillët me potencial të jashtëzakonshëm intelektual dhe të vetë-realizuar mund të përshtaten dhe t’ju prijnë këtyre ndryshimeve, avancimeve e transformimeve globale në botën bashkëkohore dhe kësisoj t’i kontribuojnë zhvillimit dhe mirëqenies së gjithëmbarshme të një shoqërie e një vendi, rrjedhimisht edhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi.
Instituti ATOMI është i vetëdijshëm që e gjithë kjo ndërmarrje nënkupton investim të madh e të vazhdueshëm në këtë kategori të shoqërisë, por njëkohësisht beson fuqishëm se investimi tek më të mirët është investimi më i sigurt dhe më racional për të mirën e përgjithshme dhe afatgjate.