Instituti ATOMI bëhet anëtar i Rrjetit Evropian për Përkrahjen e Talenteve


Instituti ATOMI që merret me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë ka arritur edhe një njohje të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.

ATOMI është certifikuar nga Këshilli Evropian për Aftësi të Lartë (European Council for High Ability – ECHA) si Pikë Evropiane për Talentet (European Talent Point – ETP) në Kosovë. Si rezultat i kësaj, ATOMI tashmë është bërë anëtare e Rrjetit Evropian për Përkrahjen e Talenteve (European Talent Support Network – ETSN) së bashku me 28 organizata të tjera të vendeve të ndryshme evropiane. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për një organizatë nga Kosova, e cila bën punë profesionale të krahasueshme me organizatat homologe evropiane, megjithëse me resurse shumë të kufizuara financiare, infrastrukturore e profesionale. Për dijeni, vet ECHA është organizatë evropiane, e cila mbanë statusin e organizatës konsultuese në kuadër të Këshillit të Evropës.

Kjo është arritja e dytë e ATOMI-t në nivel ndërkombëtar, meqë para dy vitesh edhe MENSA, organizata më e madhe ndërkombëtare që merret me personat me inteligjencë të jashtëzakonshme në botë, e cila ka shtrirje në më shumë se 100 vende të botës, kishte konfirmuar se i njeh dhe i certifikon praktikat, instrumentet dhe rezultatet e ATOMI-t.

Kjo njohje dhe ky reputacion i mirë evropian e ndërkombëtar për Institutin ATOMI vjen si rezultat i zbatimit të standardeve, kritereve dhe praktikave më të mira shkencore, profesionale e etike, evropiane e ndërkombëtare, që ATOMI bën gjatë punës dhe aktiviteteve të veta.



Instituti ATOMI,
Prishtinë, më
22 prill 2016