Profili i organizatës
Instituti Ndërkombëtar për Inteligjencë të Jashtëzakonshme ATOMI – Instituti ATOMI është organizatë jo-qeveritare e jo-fitimprurëse e llojit fondacion e themeluar në Kosovë, me degën e vet në Shqipëri.
Organi më i lartë vendimmarrës e qeverisës i organizatës është Bordi Drejtues, i cili përbëhet nga tre deri nëntë anëtarë. Bordi Drejtues e zgjedhë njërin nga anëtarët e vet Drejtor Ekzekutiv të organizatës, i cili është zyrtari më i lartë përfaqësues dhe ekzekutiv i organizatës.
Qëllimi i organizatës
Instituti ATOMI ka për qëllim identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente (në tekstin e mëtejmë: atomist) në Kosovë dhe Shqipëri. Përkatësisht, qëllimi i Institutit ATOMI është identifikimi i hershëm i fëmijëve dhe të rinjve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente, si dhe ofrimi i mundësive, kushteve, trajtimit, përkujdesjes dhe shkollimit të veçantë për këta atomist, bazuar në potencialet e tyre intelektuale, dhuntinë, talentin, personalitetin, ambiciet, interesimet, motivacionin dhe kushtet e rrethanat reale socio-ekonomike të tyre. E gjithë kjo bëhet me qëllim që këta atomistë të kenë mundësi që ta zhvillojnë dhe realizojnë maksimalisht potencialin e tyre dhe kësisoj t’i kontribuojnë në radhë të parë zhvillimit të tyre personal dhe në të njëjtën kohë edhe interesit të gjithëmbarshëm të vendit dhe shoqërisë.
Historiku i organizatës
ATOMI është zhvilluar si projekt në kuadër të Qendrës ENCOMPASS (OJQ) dhe ka filluar së zbatuari që nga shtatori 2011. Në vitin 2015 ATOMI është themeluar si entitet i pavarur juridik – Instituti ATOMI, që është trashëgimtar formal e real i Projektit ATOMI, i cili duke filluar nga viti 2016 zbatohet nga Instituti ATOMI. Deri më tani ATOMI ka realizuar dhjetë cikle dhe ju ka dhënë mundësi përfshirjeje të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta të Kosovës (të klasëve VIII – XII). Gjatë kësaj periudhe ATOMI ka ofruar pesë herë mundësinë e aplikimit dhe gjatë këtyre pesë cikleve kanë aplikuar mbi 4500 nxënës. ATOMI deri më tani ka realizuar mbi 7500 testime me teste të inteligjencës dhe ka ofruar shërbime dhe aktivitete të shumta në përkrahje të atomistëve të përzgjedhur, gjë që e bën ATOMI-n institucionin më me përvojë të kësaj fushe në Kosovë dhe në regjion.
Në fillim të çdo cikli, nxënësit e të gjitha shkollave informohen dhe kanë mundësi të aplikojnë apo të nominohen nga prindërit a familja, nga mësimdhënësit, nga shoqëria apo të vetënominohet. Pas aplikimit-nominimit, të gjithë aplikantët i nënshtrohen një procesi rigoroz dy-tri fazësh të seleksionimit, i cili realizohet përmes përdorimit të testeve të standardizuara të inteligjencës me norma dhe standarde amerikane dhe britanike. Pas këtij procesi, për çdo vit, përzgjidhen 50-65 nxënësit më të mirë nga mbarë Kosova (me koeficientin më të lartë të inteligjencës, që të gjithë me inteligjencë shumë superiore). Deri më tani, Projekti ATOMI ka identifikuar gjithsej 286 atomistë nga e gjithë Kosova (të moshës 13-23 vjeçare, nga të dy gjinitë dhe pothuajse nga të gjitha komunat dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë). Përveç atomistëve të përzgjedhur në kuadër të Projektit ATOMI, janë identifikuar edhe shumë atomistë të tjerë të moshave më të reja (prej moshës 5 vjeçare), të cilët janë referuar për vlerësim te Instituti ATOMI nga prindërit, nga mësimdhënësit ose nga psikologët shkollorë.
Për atomistët e përzgjedhur ATOMI ofron falas një varg shërbimesh e aktivitetesh përkrahëse, të cilat mund t’i shikoni në menynë përkatëse (Shërbime dhe Aktivitete).
Planet dhe perspektiva e organizatës
Instituti ATOMI synon që gradualisht të zgjerohet dhe të përfshijë të gjithë nxënësit e shkollimit parauniversitar në Kosovë dhe po ashtu planifikon që në të ardhmen të shtrihet edhe në Shqipëri (tashmë është regjistruar Dega e Institutit ATOMI në Shqipëri). Për të arritur të gjitha këto, Instituti ATOMI synon të krijojë e zhvillojë bashkëpunim me organizatat homologe rajonale, evropiane e ndërkombëtare, në mënyrë që të arrijë të sigurojë përkrahje të mjaftueshme financiare e jo-financiare nga institucionet shtetërore/publike, donatorët e sponsorët vendorë e ndërkombëtarë.
Për zhvillimin e veprimtarisë së vet, tashmë Institutit ATOMI i është dhënë në shfrytëzim pa pagesë për 10 vite (deri në vitin 2026) një hapësirë nga Komuna e Prishtinës (miratuar nga Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës). Kjo hapësirë është një kat i tërë i objektit të Gjimnazit Matematik në Prishtinë (1500 m2) me zyra, kabinete, laboratorë, klasë, etj.. Përveç këtij kati, Instituti ATOMI e ka të lejuar edhe shfrytëzimin e hapësirave tjera përcjellëse të kësaj shkolle (bufenë, sallën e terrenet sportive dhe oborrin).
Për përmbushjen e misionit të vet, Instituti ATOMI planifikon ta themelojë në kuadër të vet Shkollën Ndërkombëtare ATOMI, Fondacionin ATOMI dhe disa Departamente të veçanta, të përshkruara shkurtimisht në vijim:
Shkolla Ndërkombëtare ATOMI:
Shkolla Ndërkombëtare ATOMI do të jetë shkollë e posaçme e dedikuar për nxënësit me potencial të jashtëzakonshëm intelektual (atomistë) nga Kosova, Shqipëria, vendet tjera të rajonit dhe nga bota, e cila do të ofrojë plan-programe, tekste shkollore, literaturë, metodologji dhe mësimdhënës të avancuar, si dhe aktivitete sfiduese, në përputhje me nevojën, interesimet dhe potencialin e këtyre nxënësve.
Shkolla Ndërkombëtare ATOMI do të jetë shkollë e nivelit SNKA 3, përkatësisht Shkollë e Mesme e Lartë (SHML) që përfshinë klasët X, XI dhe XII. Shkolla do të jetë shkollë jo-fitimprurëse dhe planifikohet të jetë shkollë e partneritetit mes Institutit ATOMI dhe institucioneve e organizatave të interesuara relevante të arsimit, qofshin ato qendrore a lokale, përfshirë ato shtetërore, publike, jopublike e private (nga Kosova dhe shtetet tjera), në përputhje me procedurat ligjore.
Shkolla planifikon të fillojë së funksionuari kurdo që siguron përkrahje të duhur financiare e jo-financiare.
Fondacioni ATOMI:
Fondacioni ATOMI synon të ketë mjete financiare për të përkrahur atomistët në forma të ndryshme, si: financimin e projekteve të tyre inovative, bursa për shkollim e studime brenda e jashtë vendit, pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, etj..
Departamenti i vlerësimeve:
Ky departament do të merret me testimin dhe përzgjedhjen e atomistëve, bazuar në testet e standardizuara të inteligjencës dhe në instrumente e metoda të tjera relevante; vlerësimin e atomistëve me metoda e instrumente të ndryshme psikologjike, si testet e personalitetit, interesimeve, emocionale, zhvillimit, motivacionit, etj., për nevoja të përkrahjes sa më efektive të atomistëve; adaptimin, normimin dhe standardizimin e instrumenteve të ndryshme psikologjike, të cilat përveç për nevojat e ATOMI-t, mund të përdoren edhe nga institucionet e shumta shtetërore e publike, si shkollat, institucionet shëndetësore, policia, ushtria, etj..
Instituti ATOMI tashmë ofron shumicën e këtyre aktiviteteve dhe shërbimeve, ndërsa në të ardhmen parashihet që gama e këtyre aktiviteteve dhe shërbimeve të zgjerohet edhe më shumë.
Departamenti i përkrahjes së atomistëve:
Ky departament do të ofrojë për atomistët shërbime të këshillimit psikologjik; shërbime të orientimit në karrierë; mentorimi personal nga profesionistët; mundësi qasjeje në literaturë të avancuar; kamp veror me aktivitete edukative dhe sociale e rekreative; shkollë të avancuar me kurse e trajnime nga shkencat ekzakte, teknike, sociale e shkathtësitë për jetën; aktivitete ekstrakurrikulare të rregullta javore; takime me personalitete të shquara e të suksesshme; rrjetëzim e bashkëpunim të atomistëve; vizita studimore brenda dhe jashtë vendit; qasje në punë shkencore, krijuese e prodhuese; ndihmë për aplikim në shkolla e universitete dhe ndërmjetësim për bursa për shkollim e studime, etj..
Instituti ATOMI tashmë ofron shumicën e këtyre aktiviteteve dhe shërbimeve, ndërsa në të ardhmen parashihet që gama e këtyre aktiviteteve dhe shërbimeve të zgjerohet edhe më shumë.
Departamenti për talentet e fushave të veçnata akademike:
Ky departament do të merret me identifikimin e nxënësve me talente në fushave të veçanta akademike, si: matematikë, teknologji, shkenca natyrore, etj.. Pas identifikimit, përmes këtij departamenti Instituti ATOMI do t’i përkrahë këto talente me aktivitete e shërbime të ndryshme, në mënyrë që të mund ta zhvillojnë maksimalisht talentin e tyre për fushën e caktuar akademike.
Instituti ATOMI tashmë ka filluar identifikimin e talenteve të fushës së matematikës përmes Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”, nga e cila çdo vit përzgjidhen një numër i nxënësve me rezultatet më të larta në këtë garë dhe pastaj për ta ofrohen kurse të avancuara të matematikës, si dhe aktivitete e shërbime të tjera përkrahëse për këto talente të matematikës.Veç kësaj, Instituti ATOMI për vite e ka përkrahur financiarisht Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) për organizimin e Olimpiadës Matematike të Kosovës (OMN), si dhe e ka ofruar trajnim të avancuar dhe intensiv për ekipin e Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (ONM-IMO).
Departamenti i trajnimeve:
Ky departament do të ofrojë trajnime për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, për psikologët shkollorë dhe për prindërit në lidhje me identifikimin, qasjen dhe trajtimin ndaj atomistëve. Instituti ATOMI tashmë ka marrë aprovim (akreditim) nga MASHT për ofrimin e trajnimit themelor “Identifikimi dhe përkrahja e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente”, i cili ofrohet për mësimdhënësit dhe psikologët shkollorë parauniversitarë të interesuar.
Instituti ATOMI tashmë ka ofruar dhe është duke ofruar trajnime për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar dhe psikologët shkollorë në Kosovë dhe do ta vazhdojë këtë aktivitetet edhe në të ardhmen.
Departamenti i hulumtimeve dhe publikimeve:
KKy departament do të merret me realizimin dhe publikimin e hulumtimeve të ndryshme në revista shkencore ndërkombëtare; hartimin dhe përkthimin e publikimin e udhëzuesve të ndryshëm për nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe psikologët shkollorë në lidhje me identifikimin, qasjen dhe trajtimin ndaj atomistëve; hartimin e dokumenteve të ndryshme strategjike në lidhje me qasjen dhe trajtimin ndaj atomistëve; organizimin e konferencave të ndryshme profesionale e shkencore; organizimin e fushatave të ndryshme vetëdijësuese, etj..
Instituti ATOMI tashmë ka përkthyer disa manuale dhe libra të ndryshëm për mësimdhënësit, psikologët shkollorë dhe prindërit, të cilat kanë të bëjnë me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente, por që kryesisht përdoren për nevoja të brendshme dhe nevoja të trajnimit, ndërsa në të ardhmen pritet të publikohen për publikun e gjerë.
Bordi Drejtues i organizatës
Bordi Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës e qeverisës i organizatës, i cili përbëhet nga tre deri nëntë anëtarë. Bordi Drejtues e zgjedhë njërin nga anëtarët e vet Drejtor Ekzekutiv të organizatës, i cili është zyrtari më i lartë përfaqësues dhe zyrtari më i lartë ekzekutiv i organizatës.
Bordi Drejtues aktual i Institutit ATOMI përbëhet nga nëntë anëtarë, të cilët kanë përvoja të ndryshme dhe përgatitje profesionale, shkencore e akademike të larmishme, gjë që e bën bordin mjaft gjithëpërfshirës. Bordi Drejtues i Institutit ATOMI përbëhet nga këta anëtarë:
Bleron Baraliu
Edona Zogu
Egzona Morina
Mergim Cahani
Naime Hoxha
Nait Vrenezi
Njomza Tmava
Personeli i organizatës
Instituti ATOMI ka të angazhuar si personel të rregullt individë me kualifikime përkatëse profesionale, të cilët tashmë kanë përvojë të gjatë dhe janë të specializuar për punën me atomistë. Në kuadër të personelit të Institutit ATOMI, përveç gjuhës shqipe, disa persona e flasin rrjedhshëm edhe gjuhën serbe, boshnjake, turke dhe angleze. Në Institutin ATOMI janë të angazhuar këta persona:
Naime Hoxha
psikologe klinike
Nait Vrenezi
psikolog dhe profesor universitar
Luljeta Berisha Gollopeni
psikologe klinike
Njomza Tmava
koordinatore e aktiviteteve me atomistët
Valmir Krasniqi
matematikan