Arritjet ndërkombëtare nga Instituti ATOMI
Në vitin 2016 Instituti ATOMI është certifikuar nga Këshilli Evropian për Aftësi të Lartë (European Council for High Ability – ECHA) si Pikë Evropiane për Talentet (European Talent Point – ETP) në Kosovë. Si rezultat i kësaj, Instituti ATOMI tashmë është bërë anëtare e Rrjetit Evropian për Përkrahjen e Talenteve (European Talent Support Network – ETSN) së bashku me shumë organizata të tjera të vendeve të ndryshme evropiane. Për dijeni, vet ECHA është OJQ evropiane, e cila mbanë statusin e organizatës konsultuese në kuadër të Këshillit të Evropës. Për më shumë rreth ECHA vizitoni: www.echa.info.
Gjithashtu në vitin 2016, Instituti ATOMI dhe Kosova është bërë anëtare e “Asociacionit Kangourou sans Frontières (AKSF)” dhe duke filluar nga viti 2017 Instituti ATOMI është autorizuar nga AKSF për organizimin e garës më të popullarizuar në botë për fushën e matematikës “Kangaroo” në Kosovë. Gara ndërkombëtare e matematikës “Kangaroo” organizohet çdo vit në të njëjtën ditë në mbarë botën dhe në të marrin pjesë për çdo vit rreth 6 milionë nxënës të arsimit parauniversitar nga mbi 70 shtete të ndryshme të botës. Për më shumë rreth Kangaroo dhe AKSF vizitoni: www.aksf.org.
Që nga viti 2014 organizata Mensa, e cila është organizata më e madhe ndërkombëtare (me shtrirje në më shumë se 100 vende të botës) që merret me personat me inteligjencë të jashtëzakonshme në botë ka konfirmuar se i njeh dhe i certifikon praktikat, instrumentet dhe rezultatet e Institutit ATOMI. Prandaj, çdo atomist që përzgjidhet nga Instituti ATOMI mund të anëtarësohet si anëtar në Mensa vetëm me referencë nga Instituti ATOMI, pa iu nënshtruar testimeve të Mensës. Për më shumë rreth Mensa vizitoni: www.mensa.org.
Kjo njohje dhe ky reputacion i mirë evropian e ndërkombëtar për Instituti ATOMI vjen si rezultat i zbatimit të standardeve, kritereve dhe praktikave më të mira shkencore, profesionale e etike, evropiane e ndërkombëtare, që Instituti ATOMI bën gjatë punës së vet. Të gjitha këto i kanë siguruar Institutit ATOMI kredibilitet dhe reputacion shumë të mirë edhe brenda vendit, në Kosovë.
Sukseset ndërkombëtare të atomistëve
Përveç Institutit ATOMI si organizatë, edhe atomistët nga Kosova kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme në nivel ndërkombëtar. Disa nga to ia vlen të përmendën:

Alba Bicurri
Atomiste
Ka fituar “Çmimin e Ekselencës për Shkencëtarët dhe Teknologët e Ardhshëm të Akademisë Kombëtare” në SHBA, ku ishte nominuar nga vet z. Buzz Aldrin, drejtor shkencor i kësaj akademie (njëri nga astronautët e parë që ka zbritur në hënë).

Doruntina Sylejmani
Atomiste
Ka fituar Medalje të Bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (ONM), që është kampionati botëror i matematikës për nxënësit e shkollave të mesme të larta, që është mbajtur në Hong Kong në vitin 2016.

Gramoz Shpendi
Atomist
Ka arritur të zgjidhet njëri nga dhjetë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv (organi më i lartë ekzekutiv) të Unionit të Studentëve Evropianë (USE), organizata ombrellë e unioneve studentore të vendeve të Evropës që përfaqëson rreth 15 milionë studentë evropianë.

Margjelë Shala
Atomiste
Ka fituar “Çmimin e Presidentit për Edukim” në SHBA, i cili ndahet nga vet Presidenti i SHBA-ve dhe gjithashtu e ka fituar edhe “Çmimin e Ekselencës për Fizikanët dhe Shkencëtarët Mjekësorë të Ardhshëm të Akademisë Kombëtare” në SHBA.