Atomisti nga Kosova në krye të studentëve evropianë!


Studenti nga Prizreni Gramoz Shpendi, i cili tash e disa vite studion dhe vepron në Finlandë, është zgjedhur njëri nga dhjetë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv (organi më i lartë ekzekutiv) të Unionit të Studentëve Evropianë (USE).

Unioni i Studentëve Evropianë është organizata studentore më e madhe dhe më me peshë në Evropë në fushën e arsimit të lartë, si organizatë ombrellë e Unioneve Nacionale të Studentëve të 38 vendeve të ndryshme evropiane, ku Kosova ende nuk është anëtarësuar.

Zgjedhja e Gramoz Shpendit si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Unionit të Studentëve Evropianë është një arritje e jashtëzakonshme sepse USE është përfaqësuese e rreth 14 milionë studentëve evropianë.

Gramoz Shpendi është atomist me potencial të jashtëzakonshëm intelektual i përzgjedhur nga ATOMI në vitin 2012 dhe sukseset e arritjet e tij janë meritë dhe rezultat i potencialit të tij intelektual dhe punës e aktivitetit të tij të palodhshëm. Kjo është edhe një dëshmi se çfarë mund të arrijnë të rinjtë e Kosovës me potencial të jashtëzakonshëm intelektual nëse i kanë mundësitë e duhura për zhvillim e avancim.



Instituti ATOMI,
Prishtinë, më
13 maj 2016