Instituti ATOMI përkrahet nga Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës


Sot Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim, me unanimitet të plotë të të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në këtë asamble (LDK, LVV, PDK, AKR, AAK, LB, PD, PF, G.I.S, KDTP) ka miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim pa pagesë të një hapësire të Gjimnazit Matematik për Institutin ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë.

Falë këtij vendimi, tashmë Instituti ATOMI do të ketë hapësirat e nevojshme dhe të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë së tij në funksion të përkrahjes së nxënësve dhe të rinjve me potencial të jashtëzakonshëm intelektual nga mbarë Kosova.

Me këtë rast, Instituti ATOMI shprehë falënderim dhe mirënjohje për të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Komunës së Prishtinës dhe ndihet krenar që falë punës e angazhimit të madh e profesional, si dhe falë arritjeve e sukseseve vendore e ndërkombëtare të ATOMI-t dhe atomistëve, ka arritur t’i bindë të gjithë (përtej përkatësive partiake e etnike) për vlerën dhe rëndësinë e personave me potencial të jashtëzakonshëm intelektual.

Instituti ATOMI shprehë bindjen që së shpejti do ta arrijë një unanimitet të tillë edhe në nivelet qendrore vendim-marrëse (Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës), në mënyrë që të sigurohet sa më shumë përkrahje e qëndrueshme institucionale për nxënësit dhe të rinjtë me potencial të jashtëzakonshëm intelektual, si njëri ndër asetet më të rëndësishme në funksion të zhvillimit të vendit dhe shoqërisë sonë.



Instituti ATOMI,
Prishtinë, më
18 maj 2016