Atomistja Doruntina Sylejmani është pranuar në studime në Princeton University të SHBA-së, duke u bërë kështu ndër shqiptaret e para që ka arritur të regjistrohet në këtë universitet prestigjioz. Doruntina është e pasionuar pas matematikës dhe ka potencial e talent të madh për këtë fushë, andaj pranimi i saj në Princeton University do t’i mundësojë asaj përmbushjen e pasionit dhe realizimin e potencialit dhe talentit të saj për matematikë.
Ky sukses i Doruntina Sylejmanit është rezultat i potencialit të saj të jashtëzakonshëm intelektual, punës dhe angazhimit të familjes dhe mësimdhënësve të saj, punës dhe përkushtimit të saj gjatë shkollimit, rezultateve shumë të larta të saj në testin SAT, si dhe suksesit të saj kulmor në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, të mbajtur në korrik 2016 në Hong Kong, ku ajo fitoi Medalje të Bronztë.
Duke qenë njëri ndër universitetet më të mira në botë, studimet në Princeton University janë shumë të shtrenjta dhe fatmirësisht Doruntina ka fituar bursë nga universiteti për studime atje. Mirëpo bursa nuk përfshinë disa shpenzime indirekte dhe shpenzimet e udhëtimit (rreth 5000 euro), prandaj Instituti ATOMI i bën lutje institucioneve, donatorëve, kompanive apo individëve vullnetmirë që ta përkrahin Doruntinën për sigurimin e këtyre mjeteve financiare, gjë që do t’i mundësonte asaj që t’i përkushtohet 100% studimeve të saj.
Me këtë rast Instituti ATOMI i falënderon shumë profesorët amerikanë z. Flavio Bartmann – këshilltar në Departamentin e Matematikës në Princeton University dhe znj. Carol Barash – këshilltare për aplikim në universitetet amerikane që kanë bashkëpunuar me Institutin ATOMI përmes Bleron Baraliut – anëtar i Bordit Drejtues të Institutit ATOMI, të cilët e kanë iniciuar procedurën, i kanë mundësuar Doruntinës kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarët e Princeton University, i kanë ofruar rekomandime asaj dhe e kanë ndihmuar atë gjatë gjithë procesit të aplikimit. Pa këtë përkrahje Doruntina do të rrezikonte të mbetej veç një studente e zakonshme në Kosovë, në ndërkohë që ajo ka dëshmuar që mund të jetë studente e jashtëzakonshme edhe në nivel botëror, në konkurrencë me më të mirët e botës
Instituti ATOMI i uron Doruntinës studime dhe karrierë të suksesshme!
Instituti ATOMI,
Prishtinë, më
16 dhjetor 2016