Shërbime për të gjitha palët e interesuara


Për të gjitha palët e interesuara në Kosovë, Instituti ATOMI ofron:


- Testime të inteligjencës, individuale dhe grupore, me teste të standardizuara të inteligjencës me norma amerikane dhe britanike, për të gjithë personat e moshës 6 deri 18 vjeçare. Grupmoshat që janë në kuadër të target grupit të Projektit ATOMI trajtohen me prioritet dhe testohen sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara nga Instituti ATOMI.

- Bashkëpunim me të gjithë individët dhe entitetet që janë të interesuar të zhvillojë aktivitete që stimulojnë, zhvillojnë dhe promovojnë mendjen, intelektin, dhuntinë, talentin, krijimtarinë, kreativitetin dhe inovacionit në të gjitha fushat.

- Trajnime për mësimdhënësit dhe psikologët shkollorë në lidhje me identifikimin dhe përkrahjen e fëmijëve dhe nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente.

- Hulumtime psikologjike, sociale dhe të opinionit publik në përputhje me kriteret e standardet e mirëfillta shkencore, profesionale dhe etike.

Shërbime dhe aktivitete përkrahëse për atomistët


Për atomistët e përzgjedhur, Instituti ATOMI ofron falas këto shërbime dhe aktivitete përkrahëse:


Kurse të avancuara – Shkolla+

Kurset e avancuara të fushave të ndryshme ofrohen gjatë Shkollës+ të Institutit ATOMI, e cila organizohet të shtunave, përkatësisht 30 të shtuna gjatë vitit. Më herët kurse të tilla janë ofruar edhe në kuadër të shkollës verore. Përmbajtja e kurseve të ofruara është shumë e avancuar, në mënyrë që atomistëve t’ju ofrohet ajo që nuk mund ta marrin gjatë shkollimit të tyre të rregullt. Atomistët vijojnë këto kurse sipas preferencave dhe interesimeve profesionale të veta. Ligjërues të këtyre kurseve janë profesionistët dhe profesorët universitarë më të dalluar në fushat e tyre përkatëse në Kosovë. Shumica e kurseve zgjasin 30 orë akademike, por ka edhe kurse që zgjasin 10 ose 20 orë akademike.

Deri më janë ofruar dhjetëra kurse të avancuara, me mijëra orë akademike nga fusha të ndryshme të shkencave ekzakte, teknike, sociale, arte, shkathtësi për jetën, si: matematikë, fizikë, astronomi, kimi, biologji, gjenetikë, informatikë, TIK, ueb programim, android programim, robotikë, 3D dizajn dhe printim, dizajn grafik, arkitekturë, filozofi, logjikë, shkenca politike, psikologji, hulumtim me statistikë, etnologji, arti modern, arti publik, fotografi, burime njerëzore, orientimi në karrierë, vallëzim, not, formati i debatit Karl Poper, origami, komunikimi masiv dhe të folurit publik, adoleshentët dhe rrethi social e familjar, rruga drejt suksesit, vetë-njohja dhe vetëbesimi, kultura e përgjithshme, etj..
Për të gjitha detajet rreth këtyre kurseve dhe ligjëruesve të tyre, kliko butonin në vazhdim: Ligjëruesit e Kurseve të Avancuara

Punë laboratorike dhe vizita studimore

Në kuadër të kurseve të avancuara që ofrohen gjatë Shkollës+ organizohet edhe punë praktike laboratorike në laboratorët e Universitetit të Prishtinës, në mënyrë që atomistët që vijojnë këto kurse të mund të zbatojnë në praktikë njohuritë teorike që marrin gjatë kurseve të avancuara, si dhe të njihen për së afërmi me punën shkencore laboratorike dhe hulumtimet e mirëfillta shkencore.

Gjithashtu, në kuadër të Kampit Veror Instituti ATOMI organizon vizita të ndryshme studimore në fabrika, institucione, kompani e organizata të ndryshme, përmes së cilave atomistët informohen për së afërmi me mënyrën e funksionimit dhe me sfidat e problemet e këtyre entiteteve. Deri më tani janë vizituar Fabrika e prodhimit të medikamenteve mjekësore Trepharm, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Fabrika e prodhimit të styroporit Fati, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK), Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Televizioni Klan Kosova, Raiffeisen Bank Kosova (RBKO), Universiteti Evropian i Tiranës (UET), Muzeu Historik në Tiranë, etj.. Në të njëjtën kohë këto vizita i shërbejnë edhe orientimit në karrierë të atomistëve, meqë mund të shohin në praktikë sfidat, vështirësitë dhe perspektivat për fusha dhe profesione të caktuara.


Takime me profesionistë dhe personalitete të shquara

Instituti ATOMI në kuadër të Shkollës+ dhe të Kampit Veror për atomistët organizon takime/ligjërata me profesionistë dhe personalitete të shquara nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, të cilat organizohen në kuadër të Kursit të Kulturës së Përgjithshme. Përmes këtyre takimeve/ligjëratave që zgjasin rreth dy orë atomistët kanë mundësi që të takohen me profesionistë e personalitete të shquara të fushave dhe profileve të ndryshme dhe të bisedojnë e të debatojnë me ta për tema të ndryshme që lidhen me aktivitetin e tyre dhe kështu të krijojnë një bagazh të kulturës së përgjithshme nga fusha të ndryshme profesionale, shkencore e akademike. Këto takime/ligjërata gjithashtu kanë për qëllim t’i shërbejnë orientimit në karrierë të atomistëve.

Deri më tani në kuadër të Kursit të Kulturës së Përgjithshme janë trajtuar shumë çështje e tema të fushave e natyrave të ndryshme nga shkenca, kultura, arti, gjuha, letërsia, historia, politika, drejtësia, arsimi, ekonomia, biznesi, shëndetësia, media dhe gazetaria, komunikimi masiv, shoqëria civile, të drejtat e njeriut, ngrohja globale, globalizimi, etj..
Për të gjitha detajet rreth mysafirëve të ftuar dhe temave të diskutuara, kliko butonin në vazhdim: Mysafirët e ftuar dhe temat e diskutuara

Qasje në literaturë të avancuar e të përditësuar

Instituti ATOMI ka siguruar për atomistët një mini-bibliotekë (Biblioteka ATOMI) me libra e literaturë të avancuar të e të përditësuar të fushave të ndryshme, varësisht prej interesimeve, nevojave dhe kërkesave të vet atomistëve, meqë librat janë përzgjedhur nga vet ata, kryesisht të shkencave natyrore, por edhe të shkencave sociale dhe romane të ndryshme. Fondi i librave të kësaj biblioteke është vazhdimisht në dispozicion të atomistëve, në mënyrë që ata të kenë qasje dhe të kenë mundësi për të lexuar literaturë të përshtatshme dhe mund ta shkëmbejnë këtë literaturë me njëri tjetrin. Përveç kësaj, Instituti ATOMI ka siguruar nga burimet e hapura (open source) një numër të madh të librave elektronikë të fushave të ndryshme, të cilat gjithashtu janë në dispozicion të atomistëve.

Po ashtu, Instituti ATOMI përmes memorandumeve që ka nënshkruar me disa universitete ua ka mundësuar atomistëve që të kenë qasje falas në bibliotekat universitare të këtyre universiteteve dhe në databazat elektronike në të cilat kanë qasje këto universitete.


Orientim në karrierë dhe këshillim psikologjik

Instituti ATOMI ofron shërbime për orientim në karrierë për atomistët që kanë dilema për profesionin dhe karrierën e tyre të ardhshme, të cilëve ju ndihmohet që duke u bazuar në potencialet e tyre intelektuale, personalitetin, ambiciet, interesimet, motivacionin dhe kushtet e rrethanat reale socio-ekonomike të tyre të bëjnë zgjedhje të arsimit, aftësimit dhe profesionit të tyre, si dhe të menaxhojnë karrierat e tyre. Me këtë rast, atomistëve ju jepen informata të nevojshme për studime për profesionin e tyre të përshtatshëm dhe për planifikim, duke përfshirë informatat mbi profesionet, institucionet, programet dhe mundësitë për shkollim e studime brenda e jashtë vendit, shtigjet e karrierës, trendet dhe kushtet e tregut të punës dhe mundësitë për punësim.

Sipas kërkesës dhe nevojës së atomistëve, Instituti ATOMI ofron shërbime të këshillimit psikologjik për ata atomistë që kanë vështirësi për t’u adaptuar me rrethin e tyre familjar, shkollor e social; të cilët kanë vështirësi për të marrë vendime të rëndësishme për veten e tyre në mënyrë të pavarur; të cilët kanë vështirësi të menaxhojnë tranzicionin gjatë periudhës së adoleshencës, etj.. E gjithë kjo ka për qëllim që atomistët të mund t’i sqarojnë synimet dhe aspiratat e tyre, të kuptojnë identitetin personal, të kuptojnë rrethin dhe të krijojnë komunikim të shëndoshë me të gjithë, të marrin vendime duke qenë të informuar, të përkushtohen për veprim dhe të menaxhojnë tranzicionin, si atë të planifikuar, ashtu edhe atë të paplanifikuar, etj.. Sipas nevojës, shërbimet e këshillimit përfshijnë edhe prindërit dhe mësimdhënësit e atomistëve.


Punë praktike dhe bursa për shkollim/studime

Për atomistët që studiojnë në Kosovë, Instituti ATOMI ndihmon në identifikimin e institucioneve, kompanive e organizatave përkatëse ku atomistët mund të kryejnë praktikën e tyre profesionale dhe ndërmjetëson për angazhimin e atomistëve për punë praktike në entitete të ndryshme, qoftë përmes ndërmjetësimit të drejtpërdrejtë qoftë përmes letër-rekomandimeve për atomistët. Në raste të caktuara Instituti ATOMI ndërmjetëson edhe për punësimin e atomistëve.

Përmes marrëveshjeve me disa shkolla të mesme të larta dhe institucione të arsimit të lartë private në Kosovë, Instituti ATOMI ofron për disa atomistë bursa të pjesshme dhe të plota për shkollim dhe studime në këto institucione. Gjithashtu, për atomistët që planifikojnë të studiojnë jashtë vendit, Instituti ATOMI ofron ndihmë për gjatë procesit të aplikimit dhe përgatitë letër-rekomandime për këta atomistë, të cilat merren në konsideratë nga universitetet e jashtme cilësore, madje në disa raste kanë rezultuar vendimtare që atomistët të pranohen dhe të sigurojnë bursa në këto universitete.


Klubi i Atomistëve për aktivitete të përbashkëta

Për atomistët e interesuar, Instituti ATOMI e ka vënë në dispozicion Klubin e Atomistëve, një hapësirë e mjaftueshme dhe e përshtatshme e pajisur me rekuizita dhe pajisje të nevojshme në Prishtinë (te zyrat e Institutit ATOMI), ku atomistët mund të zhvillojnë takime dhe aktivitete të përbashkëta.

Klubi i Atomistëve shfrytëzohet nga atomistët për aktivitete të ndryshme, si: kryerja e detyrimeve shkollore, përgatitja për provime të ndryshme, organizimin e trajnimeve për pjesëmarrje në gara të ndryshme, shfaqje të filmave, diskutime e debate për tema dhe çështje të ndryshme me interes për ta, shkëmbimin e informacioneve dhe literaturës, takime me njëri-tjetrin me qëllim që të shoqërohen me persona me të cilët përshtaten dhe mirëkuptohen, etj..


Mentorim nga profesionistët

Atomistët e interesuar për t’u specializuar në një fushë të interesimit të tyre, e kanë mundësinë që të ruajnë dhe të vazhdojnë kontaktet me ligjëruesit e kurseve të avancuara, të cilët janë të gatshëm që në baza vullnetare të ofrojnë mentorim personal për atomistët e interesuar.

Kjo ju ofron mundësinë këtyre atomistëve që të kenë një person kompetent të fushës gjegjëse, me të cilin mund të kontaktojnë vazhdimisht për të bërë pyetje, për të kërkuar sqarime të ndryshme, për të shkëmbyer ide e mendime, për të marrë sugjerime dhe vlerësime profesionale, për të kërkuar dhe shkëmbyer literaturë të avancuar, për të praktikuar së bashku, etj., etj.. E gjithë kjo ka për qëllim që atomistët që kanë talent dhe interesim për një fushë të caktuar të kenë mundësinë që të zhvillohen e të avancohen në atë fushë me ndihmën dhe nën mentorimin e një profesionisti të fushës.


Aktivitete kulturore, sociale, sportive e rekreative

Instituti ATOMI përmes Kampit Veror dyjavor që organizohet në Kosovë e në Shqipëri ju ofron atomistëve aktivitete të shumëllojshme me karakter edukativ, kulturor, social, sportiv e rekreativ, me qëllim që t’i shërbej njohjes më të mirë të atomistëve me njëri tjetrin dhe me personelin e Institutit ATOMI, krijimit të raporteve dhe bashkëpunimit mes tyre, shkëmbimit të ideve e përvojave të tyre mes vete, etj..

Në kuadër të Kampit Veror organizohen aktivitete të ndryshme edukative e kulturore për atomistët, si: shikimi i shfaqjeve në teatër, i shfaqjeve të baletit, vizita në parqe nacionale, vizita në muze e objekte të ndryshme historike, vizita në vende e qytete me rëndësi historike e kulturore (Berati, Kruja, Prizreni, etj.), të cilat kanë për qëllim informimin dhe vetëdijesimin e atomistëve për historinë e kulturën dhe për rëndësinë e trashëgimisë kulturore.

Po ashtu, gjatë Kampit Veror organizohen aktivitete të shumta sociale, sportive e rekreative për atomistët, si: ceremoni certifikimi, piknikë në natyrë me atomistët dhe prindërit e tyre, lojëra dhe gara të ndryshme intelektuale dhe sportive (enigmatikë, shah, futboll, basketboll, volejboll, not, ping-pong, bouling, paint-ball,etj.), shfaqje të ndryshme të përgatitura nga vet atomistët, ahengje përshëndetëse, etj.. Këto aktivitete i shërbejnë krijimit të raporteve më të afërta mes atomistëve dhe kanë për qëllim edhe zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive komunikuese, si dhe nxitjen dhe promovimin e nevojës së bashkëpunimit dhe punës kolektive tek atomistët.

Shënim: Të gjitha shërbimet dhe aktivitetet përkrahëse për atomistët ofrohen falas nga Instituti ATOMI. Disa nga këto aktivitete dhe shërbime ofrohen për të gjithë atomistët dhe shfrytëzohen nga të gjithë atomistët e interesuar. Disa ofrohen sipas nevojës dhe kërkesës së atomistëve, ndërsa disa ofrohen sipas mundësive të Institutit ATOMI. Disa nga aktivitetet dhe shërbimet përkrahëse janë të njëhershme, ndërsa disa janë vazhdimisht në dispozicion të atomistëve të interesuar.
Instituti ATOMI ofron maksimumin e shërbimeve dhe aktiviteteve përkrahëse për atomistët në përputhje me burimet që ka në dispozicion ky institut, por jemi të vetëdijshëm se në raport me nevojat reale të atomistëve ne mund të ofrojmë shërbime dhe aktivitete përkrahëse modeste për shkak të mungesës së burimeve financiare, rrjedhimisht edhe profesionale e infrastrukturore, me të cilat ballafaqohet Instituti ATOMI.

Foto-Galeria e Aktiviteteve